Haradinaj: Fitore e qeverisë mund të jetë përballimi i kësaj fatkeqësie natyrore e jo përmbysja e Projektligjit për Trust-in

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas vërshimeve nga reshjet e shiut në disa qytete të Kosovës, ka deklaruar se mijëra familje po përballen me mbijetesën.

Kjo gjendje sipas Haradinajt, shtron nevojën e menjëhershme të krijimit të një Fondi Emergjent nga Qeveria.

“Qytetarët kanë nevojë për strehim, për ushqim, për ilaçe dhe veshmbathje. Ata kanë nevojë për ndihmën e shtetit” – ka shkruar Haradinaj duke shtuar se udhëheqjet komunale e kanë të pamundur të përballen me pasojat.

Sipas ish-kryeministrit kosovar, fitore e kësaj qeverie sot mund të jetë përballimi i kësaj fatkeqësie natyrore e jo përmbysja e Projektligjit për Trust-in.

“Bëni diçka në jetën tuaj për qytetarin, sepse shteti është i qytetarit e jo i udhëheqjes!” – ka shtruar Haradinaj.

Dje, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në parim Projektligjin për Trustin, i cili parasheh tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional (Trusti).

97 deputetë kanë marrë pjesë në votim, prej tyre 42 ishin për (tërheqjen e mjeteve nga Trusti), 55 kundër dhe asnjë abstenim.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.
 

Nuk miratohet tërheqja nga Trusti