Haradinaj: Fatkeqësisht, tarifa i takon të kaluarës

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se tarifa 100 për qind tash i takon të kaluarës dhe se për ta kthyer atë vendim duhet të ketë një shumicë që beson në të.

“Fatkeqësisht, taksa i takon së kaluarës. Pra taksa është heqë, kthimi i taksës është i vështirë, pra duhet me pasë një shumicë që beson në taksë, e atë shumicë nuk besoj që e bën qeveria e ardhshme. Aleanca s’ka ndryshuar qëndrim në këtë temë, por është çështje e së kaluarës”, tha ai.

Haradinaj sot para gazetarëve, pas nje takimi me presidentin, shtoi se e përkrahin reciprocitetin e vendosur nga Qeveria në detyrë ndaj Serbisë.

“Ne e kemi përkrahë reciprocetin dhe kemi qëndrime pro reciprocitetit. Edhe në vendimin për taksën i shihni në pikën 3 dhe 4. Nuk e di çka ka parapa vendimi tasmë dhe çka nënkupton, por ne jemi për me detyru Serbinë për respekt të ndërsjell dhe nuk kemi arsye me iu nënshtru Serbisë”, theksoi Haradinaj.

Ish-kryeministri shtoi se i ka shqetësuar heqja e masës ndaj miellit.

“Ajo që na ka shqetësu shumë është edhe heqja e masës që kemi vendos për miellin, ka shkaktuar probleme në Kosovë, sidomos atyre që kanë depozita të miellit, pra ju bën problem. Është me interes që Kosova të mbrojë interesin e vet. Është e pakuptimë që prodhimet tona mos me i ble, mos me i pas. Tash nuk po e mbrojmë taksën, por njeriun e Kosovës”, tha ai.

Qeveria në detyrë e Kosovës nga 1 prilli e ka hequr tarifën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës duke vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.