Haradinaj: Familja Jashari u nda me lavdi, e armiku u kthye prapa me turp nga Prekazi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sakrificën e familjes Jashari me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë nga forcat serbe.

Haradinaj ka shkruar se Familja Jashari “gjithmonë u nda me lavdi, e armiku gjithherë u kthye prapa me turp nga Prekazi”.

“22 janari 1998, për familjen Jashari të Prekazit, nuk ishte ditë e zakonshme. Atë ditë baci Shaban, me nipa e mbesa, i rezistuan sulmit të forcave të okupatorit, në sulmin e dytë të pashembullt që iu bë kësaj familjeje të madhe patriotike”, ka shkruar Haradinaj nw rrjetin social ‘Facebook’.

22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Me fillim nga ora 10:00 një delegacion i gjerë i prirë nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe kryetar i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë bërë homazhe me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë në Familjen Jashari në Prekaz.

22 vite nga sulmi i dytë në familjen Jashari në Prekaz