Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Është koha për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e SHBA-së

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se është koha për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij kjo duhet të bëhet nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është koha për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e SHBA-së”, ka shkruar Haradianj në Twitter.

Po ashtu, Haradinaj ka reaguar edhe për takimin e sekretarit amerikan, Anthony Blinken me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, në Uashington D.C.

“E mirëpres mbështetjen e Amerikës për Kosovën me fondet e MCC-së dhe takimin e delegacionit shtetëror me Sekretarin Blinken. Amerika ka treguar edhe një herë lidership të vërtetë për të na mbështetur ekonomikisht dhe në dialog”, ka thënë ai.

Sekretari amerikan të Shtetit, Antony Blinken është takuar dje me Osmanin dhe Kurtin.

Ndërsa, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, dje në një konferëncë për media pas takimit kanë thënë se me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken kanë diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Sot krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MMC.