Haradinaj: Është e pabesueshme që dy shqiptarë janë dëshmitarë në dokumentet të ZPS-së

Nasim Haradinaj është duke iu përgjigjur pyetjeve në Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Prokurori po shfaq pjesë nga video-konferencat apo intervistat që Haradinaj i ka dhënë më parë në mediat e Kosovës, lidhur me dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.

Në gjykim atij iu lexua një transkript,  pjesë  e konferencës së tretë në të cilën ai foli për dy dëshmitarë shqiptarë.

Haradinaj ka treguar se derisa i kishin shfletuar dokumentet që kishin arritur në zyrat e organizatës, aty kishte parë emrin e një personi për të cilin ka thënë se nuk do të kishte besuar se do të ishte dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Për çdo ditë shkruan, besoj edhe sot shkruan. Kështu që ky për ju është sekret, për ne qe 20 vjet ky nuk është sekret. Edhe para jush nuk është sekret. Ky person 29-shi është i lujtën, unë s’muj me besu që ky është dëshmitar. Por, edhe nëse është, është në rregull. Ky person që 20 vjet flet. Por jam çudit që ky emër ka qenë aty”, tha Haradinaj.

Për Haradinajn, ishte e pabesueshme që personi me shifër 29 mund të jetë dëshmitar për ZPS.

“Derisa ky person llogaritet për vlerë për çkado qoftë për mua i pavlerë është. Kur duan njerëzit të relaksohen, e marrin e lexojnë, për të qeshur… Po të dihet emri i tij të gjithë do të qeshin edhe sot t’i thuhet këtij dëshmitar i mbrojtur ose i fshehtë… e vërteta është veç diçka që s’ja ka marr mendja kurrkujt që është dëshmitar”,  tha Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu mohoi faktin t’i ketë lexuar në tërësi dokumentet.

“Nuk i kemi lexuar për ta ditur tamam. Unë kam shfletuar dokumentet, por si emër është i njohur edhe për një fëmijë që ka lindur në vitin 2000, se ky ia ka nisur prej 2003 të flasë vetë haptas, shkruan vetë, shkruan artikuj në gazeta të ndryshme”, shtoi Haradinaj.