Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Edhe një takim koti Kurti-Vuçiq

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, takimin e sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur “takim koti”.

Sipas Haradinajt, deklarimet e Kurtit dhe Vuçiqit janë mashtrim për qytetarët në prag të zgjedhjeve.

“Secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak”, ka shtuar ai.

Sipas Haradinajt në dialog duhet një emisar amerikan.

“Sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin”, ka shkruar Haradinaj.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë që dikush duhet t’ia sqarojë kryeministrit Kurti që SHBA-të duhet të jenë të përfshira në dialog.

“Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit”, ka thënë ai.

Sot kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar takimin e dytë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha që nuk janë pajtuar për asgjë duke thënë që kryeministri Kurti është kthyer në shekullin XIX.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se Serbia ia refuzoi marrëveshjen e paqes ende pa e lexuar atë.