Ramush Haradinaj ne QKUK

Haradinaj e viziton në QKUK policin e lënduar nga shpërthimi në Zhur

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkuar në QKUK për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të policit Artur Mrasori, pas lëndimit që mori mbrëmë gjatë një aksioni në Zhur të Prizrenit.

Haradinaj thotë se u informua nga mjekët se gjendja e tij nuk është në rrezik për jetën.

“Nga informatat e mjekëve, më gëzoi fakti se gjendja e tij nuk është në rrezik për jetën dhe i falënderoj të gjithë ekipin mjekësor në QKUK për kujdesin ndaj tij. Secili pjesëtar i Policisë së Kosovës gjithnjë do ta kenë vëmendjen dhe kujdesin e merituar”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Haradinaj në QKUK – Foto:Facebook

KALLXO.com ka raportuar direkt sot intervistën me shefin e Klinikës së Intensivës në QKUK, Shaqir Uka i cili ka thënë se ende nuk mund të thuhet se pacienti është jashtë rrezikut për jetën.

Sipas tij, lëndimet e zyrtarit policor janë kryesisht në regjionin e fytyrës dhe të qafës.

“Fatkeqësisht lëndimet janë shumë të mëdha. Syri i djathtë është dëmtuar totalisht, kurse syri i majtë ka lëndime të rënda. Nuk mund të konfirmoj tash se a është i humbur totalisht shikimi edhe në këtë sy apo jo. Presim që në orët dhe në ditët në vazhdim pasi pacienti të zgjohet të kemi një vlerësim definitiv për kualitetin e shikimit të tij në syrin e majtë”, ka thënë shefi i Intensives.

Nga aksioni i mbrëmshëm në Zhur të Prizrenit, Sami Thaqi zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë nga shpërthimi i eksplozivit.

Spitali në Prizren tregon gjendjen e policit të lënduar në Zhur

Spitali në Prizren tregon gjendjen e policit të lënduar në Zhur