Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj e quan Kurtin ‘good guy’: Po bën çka t’i thonë

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti duke e quajtur ‘good guy’ në mënyrë ironike.

“Po e shoh që janë të kënaqur VV-ja, pasi ndërkombëtarët po e lëvdojnë kryeministrin se kryeministri i tyre është bërë “good guy”. Vërtetë është bo ‘good guy’ Albin Kurti, qe ku e kemi ‘he is a good guy now’, po është një problem pas tij. Sikur të ishte nisë gjithë kohën si ‘good guy’ nuk ka dert, por ky është nisë si i forti”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, Kurti po vepron se si i thotë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Qe ku ka përfundu, shko para ktheu mbrapa, shko para ktheu mbrapa kur të dojnë. Çka ti thojnë. E a dini kush? Lajcaku, se Vucici e thirrë Lajcakun e ktij i thojnë ‘step back’ (bëj një hap prapa). A kem me zgjedh situatën në veri qeshtu, tregom ta dijmë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj i është drejtuar Kurtit duke i thënë se për të zgjidhur situatën në veri, duhet të rrisë pagat e policëve që i dërgon në veri.

“Për me i zgjidh punët e brendshme ky kryeministër duhet t’ua rritë rrogat policëve qata që ka me i qu në veri. Ky rrin në jug e njerëzit i çon në veri. Më mire është mos me u nis se me u nis e me u kthy mbrapa. Ktheji fuqitë e tua kryeministër, me ato që ke hyrë në politikë”, tha ai.

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi të Qeverisë së Kosovës që qytetarët e Serbisë të pajisen me dokumentin për hyrje-dalje për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugët për në pikat kufitare, në Jarinje dhe Bërnjak.

Përveç bllokimit të rrugëve, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në natën e 31 gushtit kishte pasur sulme me armë ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa disa qytetarë është raportuar se janë lënduar nga persona të maskuar dhe të pajisur me armë të gjata.

Qeveria e Kosovës pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, ishte zotuar që të shtyhet për 30 ditë zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit, nga momenti kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.