Haradinaj e përkrah Kurtin në refuzimin e takimit të 11 majit në Bruksel

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka dhënë të drejtë kryeministrit Albin Kurti në refuzimin për të shkuar në takimin e paralajmëruar për më 11 maj në Bruksel, për të cilin janë dakorduar Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas Haradinajt, ky takim është caktuar nga Borrell e Vuçiq pa konsultim me palën kosovare.

“Takimet e formatit të tillë, duhet paraprakisht të dakordohen me institucionet e Kosovës. Praktika e dakordimit Bruksel – Beograd, duke nxjerrë Kosovën para aktit të kryer, nuk do të pranohet asnjëherë nga Kosova”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë dje se nuk do të marrë pjesë në takimin më 11 maj në Bruksel, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kurti ka rithekusar se dialogu nga ana e Kosovës duhet të jetë i përgatitur mirë.

“Unë nuk mund të marr pjesë në atë takim, për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, prandaj ajo çfarë mund të konfiromoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisioneri Borrell nga mesi i muajit maj, ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, tha ai para mediave.