Haradinaj e Limaj nisin fushatën në Prekaz: Zotohemi për fuqizimin e vendit
Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.
Ai fushatën e hapi duke bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Haradinaj ka thënë se nga Prekazi niset për “Kosovën Fituese” me numrin 137.
“Prekazi është vendi që na bashkon. Prekazi është betimi ynë për shtet e atdhe, liri e demokraci. Nga këtu nisemi për Kosovën Fituese me numrin 137. Rroftë Kosova”- ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se fushatën po e nisin nga Prekazi i komandantit legjendar, Adem Jashari, prej aty ku nisën celulat e para të lirisë.
“Nga Prekazi i Adem Jasharit, nga emblema e lirisë, nga ku nisën celulat e para të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke u zotuar për avancimin dhe fuqizimin e vendit tonë”- shkroi Limaj.
Nga sot më 11 janar ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Partitë politike në Kosovë, kanё nisur qё moti tё përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pёrmes para-fushatave qё kanё zhvilluar tash e disa muaj.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Përmes shortit në Zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të ketë numrin 118, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 124, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 131, ndërsa Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore me numër 137.
Nga këto zgjedhje do të vendoset përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.
Qeveria aktuale e formuar mё 2021 në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
KQZ e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.