Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj e kritikon ashpër Kurtin për nepotizëm, e quan mashtrues

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për nepotizëm.

Haradinaj e ka quajtur Kurtin mashtrues.

“A e dini që sot nuk ka deputet as ministër të pushtetit që s’e ka një e më shumë familjarë të punësuar, si ka mundësi që vetëm familjarët e deputetëve dhe ministrave të pushtetit qëlluan ata që kanë ekspertizë?”, tha ai.

Ish-kryeministri Haradinaj tha se ai në qeverisjen e tij ka pasur “pak fytyrë” për çështjen e punësimeve familjare.

“Kur më kanë kritikuar për këtë kam thënë s’është mirë, por s’po di çka me ju thënë. Ai e dini që ky [Albin Kurti] mundohet me na mushë mendjen duke thënë se ky e ky e ky janë eksperta. Na ka premtuar që do ta çkapë shtetin, nuk ka bord që s’ka vendosur militanta, vëllanë e atij, nusen e atij, kunatën e këtij, edhe po thotë që kanë espertizë”, u shpreh ai në një tubim partiak.

Haradinaj ka thënë se Kurti “punon ngusht me babën e tenderëve”.

“Ky njeri sot punon ngushtë me babën e tenderëve, me Nexhat Krasniqin, për të cilin më kanë gjykuar mua në Parlament, tre ministra të Qeverisë Kurti më kanë gjykuar si kryeministër, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, më kanë gjykuar se po e lë në punë babën e tenderëve. Këta të tre sot bashkëpunojnë me të. Ky është mashtruesi”, tha ai.

Sipas tij, “ky mashtrim nuk do të zgjasë”.

Haradinaj edhe në maj të këtij viti, ka thënë që ministri i Ambientit, Liburn Aliu e ka të punësuar në ministrinë e tij, Nexhat Krasniqin për të cilin sipas Haradinajt, LVV ka thënë që është ‘kupola e krimit’.

Nexhat Krasniqi për disa vite ka shërbyer si zyrtar i Prokurimit në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës.

Gjatë mandatit të ministrit të këtij dikasteri, Arban Abrashi e kishte shkarkuar sekretarin e MI-së, Izedin Bytyqin për ta zëvendësuar me Zymber Avdullahun.

Vendimi i parë që mori Avdullahu ishte anulimi i vendimit që e kthente në punë Krasniqin.

Sekretari i ri i MI-së vendimin e parë e mori për ish-shefin e prokurimit, Nexhat Krasniqi (kallxo.com)