Haradinaj del kundër qeverisë pas shuarjes së task-forcës kundër korrupsionit

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kundërshtuar vendimin e ekzekutivit në krye me Avdullah Hotin për zhbërjen e task-forcës kundër korrupsionit.

Haradinaj ka deklaruar se shkarkimi i task forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike.

“Kjo task forcë ka funksionuar më shumë se 10 vite. Kanë hetuar dhe kanë qenë në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë në bazë të mandatit të tyre. Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si ShBA dhe BE”, ka shkruar ai në Facebook.

“Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka theksuar se gjatë mandatit të tij si kryeministër është ballafaquar me disa raste për të cilat ka pasur vendim për hetime ose aktakuzë.

“Vendimi im ka qenë që të ruaj sistemin dhe ta fuqizoj të njejtin. Kam rritur rrogat e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve dhe ju kam dhënë pavarësi të plotë. Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës”, thuhet në publikimin e tij.

AAK-ja e Haradinajt është pjese e koalicionit aktual qeverisës me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka zhbërë task-forcën për luftimin e korrupsionit. Madje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte deklaruar se e kanë hequr nga diskursi fjalën “korrupsion”.

Komisioni Evropian e pati quajtur shqetësues shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion nga Qeveria Hoti.