Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj deklarohet pas takimit me Kurtin

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar rreth takimit që kryeministri Albin Kurti zhvilloi me dy liderët opozitarë.

Haradinaj ka thënë se i ka prezantuar Kurtit gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në përballje me Serbinë.

“I kemi prezantuar kryeministrit Kurti në këtë rast se nëse kryeministri Kurti dëshiron me ecë përpara në koordinim me ne, ne nuk kërkojmë rol në dialog por asnjëherë nuk do të hezitojmë me e ndihmu Kosovën në një temë me përballje me Serbinë për marrëveshjen për njohje reciproke në tri parime që janë konfirmu”- tha Haradinaj.

Ai tha se ia ka tërhequr vërejtjen Kuritit për strategjinë e Serbisë që të shkohet në marrëveshje një nga një.

“Ja kam tërheqë vërejtjen Kurtit për strategjinë e Serbisë që të shkohet në marrëveshje një nga një dhe rrezikun që nëse njëherë Serbia arrin ndonjë sukses në marrëveshjen e asociacionit që të zhduket nga tavolina, të mos vazhdojë farë më dialogun” – u shpreh ai.

Kryetari i AAK-së, theksoi se Kurti duhet të kërkojë që dialogu të kalojë tek presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

“Mendoj që tash është koha që Kurti me kërku zyrtarisht që portofolin e dialogut me e kalu tek presidenti i ShBA-së Joe Biden, sepse në këtë mënyrë do sigurohej jo vetëm arrtija e marrëveshjes por edhe garanca në implementim” – ka thënë Haradinaj.

Në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, Kurti ka pritur në takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn,

Në këtë takim u diskutua rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe takimit të fundit në nivel liderësh të zhvilluar në Bruksel më 18 gusht mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në takim ishte edhe zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi.

Ndërsa nga opozita morën pjesë edhe nënkryetarët nga LDK, Lufti Haziri, si dhe nga Aleanca, Ardian Gjini.

Këtij takimi nuk iu bashkua kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se nuk konsideron se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar me kryeministrin.