Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Deklarimet e presidentit serb janë jonormale

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, i ka quajtur jonormale deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili masakrën e Reçakut e konsideron trillim.

Haradinaj tha që deklarimi i Vuçiqit dhe i ish-ministrit të Kosovës, Ivan Teodosijeviq, janë kthim mbrapa.

“Ne kemi ndërmarrë veprime politike. Unë e kam shkarkuar. Mendoj që është kthim mbrapa. Kursi politik i deklaratave të tilla të zyrtarëve të Beogradit ia kujton qytetarëve të Kosovës tragjedinë, është tepër jonormal”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

Kryeministri Haradinaj tha që të gjithë ata që bëjnë deklarime të tilla do të përgjigjen para ligjit.

“Qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë kujdes të mos involvohen në këtë. Kisha apeluar te serbët e Kosovës që të mos involvohen në një diskutim të tillë, sepse të gjithë do të përballen me ligjet e Kosovës si rasti i ministrit, kjo nuk vlen vetëm për serbët, kjo vlen edhe për shqiptarët. Deklarime të tilla në Kosovë janë të kundërligjshme”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka reaguar pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut duke thënë se dënimi i tij është i frikshëm.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtrues”, tha Vuçiq para gazetarëve, raporton b92.

Pas kësaj deklarate të Vuqiq ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar kujdes në gjykimet në lidhje me deklaratat që jepen për masakrën e Reçakut.