Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Çdo president në Kosovë, përveç Jahjagës, ka qenë partiak

Kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj, ka komentuar nominimin që partia e tij e ka bërë për president dhe faktin që Kushtetuta thotë se presidenti i Republikës duhet të jetë apartiak.

Sipas Haradinajt, Kosova përveç kohës së Jahjagës në Presidencë, në të gjitha rastet e tjera ka pasur president partiak.

“Një rast e kemi pasur një president jopartiak, e që quhet presidente e zarfit dhe ka qenë Atifete Jahjaga. Madje e kam votuar. Kronologjia politike e pasluftës, del që liderët partiakë kanë qenë president të vendit, prej Ibrahim Rugovës, Fatmir Sejdiut, Hashim Thaçi edhe tash Vjosa Osmani”, tha Haradinaj.

Sipas tij, Kosova sot hyn në zgjedhje për 3 pozita të larta, pasi që të gjitha ato janë vakante.

“Nuk është meritë apo faj i joni që sot jemi në zgjedhje për president. Ne sot i kemi 3 pozita vakante. Nuk kemi kryeministër, nuk kemi president e nuk kemi kryetar Kuvendi. Në këtë rast, AAK e ka nominuar  kandidatin e vet për president dhe natyrisht i kemi kandidu 109 të tjerë për parlament të Kosovës. Kjo është legjitime dhe krejt e moralshme”, tha në mes tjerash Daut Haradinaj në “Kallxo Pernime”.