
Haradinaj bën homazhe te varri i Rugovës, pret datën e zgjedhjeve nga Presidenti
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë mëngjesit të sotëm ka vizituar varrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Haradinaj këtë vizitë mohoj që është duke e bërë për fushatë, ndërsa ka thënë se kjo datë e vizitës është përcaktuar më herët, që i bie të jetë në ditëlindjen e Nënës Terezë.
“Është një vizitë e dakordume me familjen disa javë përpara, realisht e kem pas zgjedh një datë, që për koincidencë është për ditëlindje të shejntës Nënës Terezë, pra jemi në familje për rrespekt. Në njëfarë mënyre edhe presidenti Rugova ka qenë po ashtu një politikë humane, paqësore por me interes të popullit të vet, në mbrojtjen e të drejtave të popullit të vet. Kjo është ajo ‘fushata’ që shyqyr që erdh, se e kanë kërku të gjithë me ardhë. Ju e dini ne e kemi një traditë”, ka deklaruar ish kryeministri.
Ai edhe njëherë ka folur për zgjedhjet, duke thënë se me shpërndarjen e parlamentit, Kosova dëshmoi që ka demokraci të avancuar.
“Tani është në kompetencat e presidentit që të vepron, meqenëse parlamenti është shpërnda. Ajo që po du me thënë, është që kemi tregu që jemi demokraci e avancuar, kemi pjekuri politike, pra mënyra e shpërndarjes së parlamentit, është një nivel i lartë i demokracisë së Kosovës”, tha Haradinaj.