Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – 12.06.2024 Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Haradinaj akuzon Qeverinë për "trajtim katastrofal të Ushtrisë", premton që paga më e ulët në FSK do të jetë 1 mijë euro

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka premtuar që gjatë Qeverisë së re paga më e ulët për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jetë 1 mijë euro.

Ai ka thënë se nëse marrin qeverisjen do ta përmirësojnë me urgjencë gjendjen financiare dhe kushtet elementare të punës për pjesëtarët e FSK-së.

“Ne do ta përmirësojmë me urgjencë gjendjen e tyre financiare dhe kushtet elementare të punës. Qysh në muajt e parë të Qeverisë së re, paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro” – tha Haradinaj.

Haradinaj theksoi se mbi 11 për qind e ushtarëve lëshuan FSK-në vetëm në 2023 dhe 2024.

Sipas tij në vitin 2023, numri i pjesëtarëve që e kanë lëshuar FSK-në është 257, ndërsa në 2024, ka kaluar numri prej 200.

Kryetari i AAK-së tha se i fundit ushtar që ka dhënë dorëheqje nga detyrat e tij ka qenë më 19.09. 2024.

“Kjo është alarmante. I ftoj të qëndrojnë, sepse ne do ta ndryshojmë gjendjen” – u shpreh i pari i AAK-së.

Madje ai shtoi se shumica nga pjesëtarët e dorëhequr përmendin kushtet e vështira financiare dhe pagat e pamjaftueshme në arsyetimin pse lëshojnë Ushtrinë.

“Edhe pas 4 viteve të kësaj qeverie, numri i pjesëtarëve të uniformuar është nën 4.000, ndërsa forca rezervë e FSK-së është harruar pothuajse plotësisht” – tha i njëjti.

Haradinaj u shpreh i shqetësuar seriozisht me këtë trajtim që sipas tij është katastrofal që qeveria po i bën ushtrisë.