Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Haradinaj akuzon Qeverinë Kurti për kapje të institucioneve të pavarura dhe manipulim me rezultate zgjedhore

Kandidati i koalicionit AAK-NISMA, Intelektualët, Konservatorët, për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti për kapje të institucioneve të pavarura dhe manipulim me rezultate zgjedhore.

Sipas Haradinajt, kapja e institucioneve të pavarura nga Qeveria Kurti ka arritur kulmin me dështimin e plotë të sistemit të KQZ-së në zgjedhjet parlamentare.

“Për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, rezultatet preliminare të zgjedhjeve nuk dihen as pas 24 orëve. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e zëvendësimit të kuadrove profesionale me militantë partiakë dhe angazhimi i kompanive të teknologjisë informative përmes tenderëve të dyshimtë njëburimor”- tha Haradinaj në Facebook.

Sipas Haradinajt, raportimet nga terreni dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore.

“Përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe ‘sistemit të dështuar teknik’ i cili po ndodh qëllimshëm, po tentohet të ndryshohet vullneti i qytetarëve. Kjo është goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe vlerave për të cilat kemi luftuar”- u shpreh Haradinaj.

Ai përfundoi se partia e tij nuk do të lejojë që vota e qytetarëve të tjetërsohet përmes skemave manipulative ndërkaq u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë të marrin masa.

Që nga e diela në mbrëmje, ueb-faqja e KQZ-së është përballur me probleme, të cilat sipas institucionit kanë qenë të natyrës teknike.

Ndërkohë që KQZ ka njoftuar se problemi është sanuar, ueb-faqja zyrtare e saj me probleme të ngjashme është përballur edhe sot, më 11.02.2025.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke publikuar në kohë reale numrin e votave të numëruara të subjekteve politike të zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025.

Me 99.53% të votave të numëruara deri në orën 17:20 të datës 11.02.2025, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 340 mijë e 641 vota apo 40.89%.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.05% të votave apo 183 mijë e 661 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.62% apo 146 mijë e 815 vota.

Koalicioni AAK-NISMA, Intelektualët, Konservatorët kanë 7.46% të votave apo 62 mijë e 111.