Haradinaj: AAK do ta shpëtojë Kosovën nga populistët e oportunistët

Ramush Haradinaj, që po synon një tjetër mandat në krye të partisë, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka akuzuar pushtetin aktual për popullizëm. Sipas tij, me këtë qeverisje, nuk është mirë qytetari i Kosovës.

“Në Kosovë u mbajtën shumë zgjedhje, dhe u ndërruan shumë qeveri, por sot Kosova nuk është sot mirë. Qytetari i Kosovës nuk është mirë. Kosova sot udhëhiqet nga politikanë të pangopur në protagonizëm, në populizëm e janë edhe mosbesues deri në fund. Janë të frikësuar nga çdo gjë dhe në paranojë e izolim”, tha Haradinaj në kuvendin e 9-të zgjedhor.

Haradinaj deklaroi se është partia e tij “ajo që do ta shpëtojë Kosovën nga populistët dhe oportunistët politikë e se do ta bëjë strategjike dhe jo reaguese, aleat dhe jo problem në strategji ”.

“Kosova është e trembur dhe reaguese. Pse kështu? Sepse ata që duhet ta ndërrojnë këtë gjendje janë oportunistë. Jetojnë në ujëra të qeta, edhe kur Kosova është në stuhi. Janë përfitues rasti, shijojnë privilegje për konsum të tyre e për fat të keq ka shumë si në nivel qendror e në atë loka. E në situata të renda, shpresa mund të jetë edhe populizmi edhe oportunismi. Por janë vërtetuar që janë mashtrim të dyjat”, shtoi Haradinaj.

“Do të rritemi për qytetarin, e për Kosovën”, tha ai.

Sot është duke u mbajtur Kuvendi i IX Zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kandidat i vetëm është themeluesi i kësaj partie – Ramush Haradinaj.