Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradianaj kujton 49 të rënët në Beleg të Deçanit

Në përvjetorin e 22-të të rënies së 49 grave e burrave në Beleg të Deçanit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët duke thënë se liria e Kosovës erdhi me çmim shumë të lartë.

“29 marsi, na kthen në kujtesë martirizimin e dyzetenëntë motrave e vëllezërve tonë në Beleg të Deçanit. Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj tha se 29 marsi i kujton përballjen heroike në Shishman të Bokes, rënien e 14 bashkëluftëtarëve nga Dukagjini, Pashtriku e Drenica.

“Sakrifica e të rënëve është gjithherë motivim për ta dashur Atdheun e për ta ruajtur lirinë e tij”, ka vazhduar më tej Haradinaj.

Në fund, kryetari i AAK-së ka theksuar se mbetet obligim angazhimi si shoqëri e shtet, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë për ta.