Ura e Ibrit, Foto: KALLXO.com

Hapja e Urës së Ibrit, NATO nuk i komenton deklarimet e fundit

Pas takimit mes ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti, NATO nuk ka komentuar fare për mundësinë e hapjes së Ibrit, por ka referuar që për informata të mëtutjeshme të kontaktohet QUINT.

Pasi që ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier tha që përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara, informuan kryeministrin Kurti që qeveritë e shteteve të QUINT në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin aktualisht asnjë ndryshim të statusin aktual të urës, KALLXO.com ka dërguar pyetje në NATO nëse Ura e Ibrit mund të hapet nëse bëhet pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, apo vetëm kur NATO jep dritën e gjelbër.

NATO u përgjigj, por nuk komentoi.

“Ne ju referojmë te Grupi QUINT për çdo koment të mëtejshëm që ata mund të kenë”- shkruan në përgjigjen e NATO-s.

Kryeministria pas takimit njoftoi se Kurti paraqiti para diplomatëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë” – shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit më 02.08.2024.

Mbi Urën e Ibrit mund të kalojnë qytetarët në këmbë, por jo edhe me makina. Në dy anët e saj, qëndrojnë të stacionuar karabinierët në kuadër të trupave paqeruajtëse të KFOR-it.

Paraprakisht, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, kishte bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Çdo vendim që lidhet me Urën e Ibrit në Mitrovicë duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, është vlerësimi i përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak dhe komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash më 18.06.2024.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, tha që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog. 

“Diskutimet janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë”- tha Stano për KALLXO.com më 23.07.2024.

BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.

“Të gjitha marrëveshjet e Dialogut, duke përfshirë edhe Urën, duhet të zbatohen plotësisht”- shtoi ai.

Më 01.08.2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratës të Bashkimit Europian, i cili tha se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Osmani tha se çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë.

Sipas presidentes, një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në Kosovë.

Qëndrimi i Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë mbetet se Ura e Mitrovicës duhet të hapet sipas procesit të përshkruar në marrëveshjet përkatëse të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Ne mbetemi të hapur për të diskutuar se si mund të arrihet kjo me qeverinë e Kosovës”- shkruan në përgjigjet e ambasadës për KALLXO.com më 22.07.2024.

Hapja e urës “i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”- tha kryeministri Albin Kurti, më 18.07.2024, një ditë pas takimit  paraprak që mbajti me ambasadorët e QUINT për këtë çështje.

Për të parin e vendit, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.

Më 31.05.2024, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh, ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.

Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikadat si kundërshtim ndaj autoriteteve të Kosovës. Ndërsa dy vite më pas, më 2013, më saktësisht duke u bazuar në ligje të Kosovës, u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe me pemë.

Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi që u largua në vitin 2015.

“Simboli i normalizimit”: Fati i Urës së Ibrit i varur nga dialogu në Bruksel