Foto: Ilustrim

Hapja e tregut shkakton rritje të çmimit të rrymës

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, ka prezantuar raportin e implementimit për Kosovën më temë “Rruga e Kosovës drejt integrimit evropian të energjisë: Gjendja e zbatimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë” para deputetëve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Gjatë prezantimit, Kopac, ka përmendur disa prej ngecjeve në Kosovë. Të parën që ai e përmendi është vonesa në liberalizim e tregut të energjisë.

“Liberalizimi i tregut duhej të finalizohej në prill por nuk ka pasur kuorum por është paralajmëruar se nuk do të ketë hapje të tregut”, ka deklaruar ai.

Që nga muaji shkurt bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji është jofunksional për shkak se anëtarëve të bordit u ka skaduar mandati.

Kopac potencoi se nëse ka hapje të tregut do të ketë rritje të çmimit për energjinë elektrike në amvisëri.

“Duhet të ketë mekanizma amortizuese nga Qeveria, ata duhet të ndajnë buxhet për grupet e cenueshme. Rritja duhet të bëhet në një periudhë më të gjatë kohore dhe me rritje të vogla dhe jo drastike sepse mund të ketë revolucion. Çdo politikan serioz duhet të bëjë hapa përpara, jo hapa të mëdhenj por hapa realë”, ka thënë Kopac.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, deklaroi se edhe ashtu siç është, çmimi i energjisë elektrike është i shtrenjtë.

“Edhe me këto çmime, amvisëria është e ngarkuar dhe mendoj se çmimi është i lartë. Energjia elektrike është nga thëngjilli. Unë mendoj që çdo propozim për të rritur çmimin për këtë sektor do të ishte shumë e ndjeshme për krejt popullatën. Duhet të marrim parasysh edhe të hyrat e qytetarëve tanë”, ka thënë Hyseni.

Në prezantim u tha se Kosova ka përqindjen më të lartë të prodhimit të energjisë me thëngjill në të gjithë rajonin. Në vitin 2019 ka qenë 90%. Po ashtu edhe emetimi i dioksidit të karbonit për kokë banori është më i larti në rajon.

“Nuk ka të ardhme për termocentralet me thëngjill. Të gjitha përpjekjet duhet të shkojnë drejt energjisë së ripërtëritshme”, ka theksuar Kopac.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ngriti edhe çështjen e Ligjit për klimën, për të cilin tha se nuk është në planin legjislativ për këtë vit por që kjo mund të bëhet.

Disa prej vendeve të rajonit, në kuadër të Ligjit për klimën e kanë përfshirë edhe çmimin për emetimin e dioksidit të karbonit. Kopac përmendi rastin e Malit të Zi, i cili ka vendosur çmimin prej 24 euro për ton të dioksidit të karbonit.

“Ligji për klimë nuk është definuar saktësisht se çka duhet të përmbajë. Ky ligj përfshin emetimin e dioksidit të karbonit. Vende të ndryshme vendosin gjëra të ndryshme. Në Mal të Zi kanë vendosur një çmimi për emetimin e dioksidit të karbonit 24 euro për ton. Kur grumbullohen mjetet të cilat do të shfrytëzohen për energji të ripërtëritshme”, ka deklaruar Kopac.

Ai ka treguar se çmimi për emetimin e dioksidit të karbonit është edhe më i lartë.

“Në BE është më shumë 50 për ton të dioksidit të karbonit. Imagjinoni për 35 deri 40 euro për megavat për orë nëse ia shtojmë këtë taksë atëherë çmimi i energjisë elektrike do të duhej të dyfishohet. Kjo nuk mund të ndërrojë brenda natës normalisht”, ka thënë Kopac.

Deputetja Kusari-Lila ka thënë se do të bashkëpunojnë me Komisionin për ambient në lidhje me hartimin e ligjit dhe të diskutohen versionet e ligjit të miratuar në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Ndërsa Kopac u shpreh i gatshëm që Sekretariati të asistojë, nëse ka vullnet politik për të bërë edhe në mënyrë të ngjashme me Malin e Zi, duke vendosur një çmim për emetimin e dioksidit të karbonit.