Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hapja e arkivave, Bislimi sqaron deklaratat
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se qasja në arkivat shtetërore të Kosovës dhe Serbisë do të krijonte mundësi të reja për të zbuluar detaje mbi personat e zhdukur.
Në fillim të muajit shtator, Bislimi deklaroi se janë pajtuar me Serbinë që të hapen arkivat.
Por, hapjen e arkivave shtetërore e kundërshtoi fort opozita kosovare.
Kundërshtitë, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, i ka quajtur të koordinuara dhe sulme.
“Te hapja e arkivave ka ndodhur një keqinformim i qëllimshëm i opinionit”, tha Bislimi në emisionin “Kallxo Përnime”.
Ai tha se në të kaluarën në Bruksel pala serbe është munduar t’i fshehë krimet e saj duke u thirrur në informacione të klasifikuara.
“Ata kanë rezistuar në hapjen e arkivave dhe informacioneve të klasifikuara të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare dhe të shërbimit sekret, me argumentin se informatat e tilla, inkriminuese, ka edhe pala kosovare dhe në njëfarë mënyre, të dy palët jemi fajtorë dhe nuk drejtojmë gishtin te njëri- tjetri”, deklaroi Bislimi.
Tutje, numri dy i Qeverisë tha se në arkivat e Kosovës nuk ka fare informacione të klasifikuara.
“Në Kosovë, që nga viti 2000 të gjitha arkivat shtetërore janë menaxhuar nga UNMIK-u, më vonë nga EULEX-i dhe ka informata se në një moment të caktuar për ditë të tëra aty kanë qëndruar përfaqësuesit e Prokurorisë Speciale. Do të thotë, në arkivat shtetërore të Kosovës, ka zero informata të klasifikuara dhe zero informata inkriminuese”, deklaroi ai.
Sipas tij, hapja e arkivave është e rëndësishme për gjetjen e personave të zhdukur.
“Ne kemi thënë që informatat e klasifikuara në Serbi, tek arkivat ushtarake, policore dhe të shërbimit sekret, janë shumë të vlefshme për të zgjidhur problemin, komponentën e parë për personat e pagjetur”, tha ai.