Mbledhja e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Hapi i Parë i Qeverisë Drejt 9.5 Milionëve të Trustit

Qeveria e Kosovës po synon t’i përvetësojë 9.5 milionë euro nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës. Këtë po synon ta bëjë përmes ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale.

Qeveria kishte tentuar disa herë të gjejë rrugë për t’i dërguar në buxhet këto mjete që janë grumbulluar ndër vite në Trust por që nuk u është ditur pronari.

Kuvendi i Kosovës sot e ka miratuar në parim Projektligjin nr.05/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-101 për Fondet Pensionale me 47 vota për, 6 abstenime dhe 7 vota kundër.

Një nga pikat kryesore të parapara në këtë plotësim-ndryshim është caktimi i rregullit për derdhjen në buxhet të kontributeve të paidentifikuara.

“Në rast se për kontributet përkatëse nuk identifikohen paguesit nga ana e Fondit dhe nuk ka as lajmërim nga ana e vetë paguesve deri në gjashtë (6) vjet nga viti i pagesës, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të drejtën e marrjes së vendimit për inkasimin e Fondeve përkatëse në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në paragrafin e 11 të nenit 7 të këtij Ligji.

Jeton Demi, zëdhënës i Trusti Pensional, ka thënë se nuk kanë një qëndrim për propozimin e bërë me ndryshimet e Ligjit.

“Përfaqësuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës janë konsultuar për ndryshimet në Projektligj, sa i përket qëndrimit rreth nenit që rregullon çështjen e mjeteve për të cilat FKPK-ja nuk ka informacion as nëse janë kontribute pensionale e as se kujt i takojnë, FKPK-ja nuk ka qëndrim rreth kësaj çështjeje, pasi është një agjenci ekzekutive dhe i zbaton ligjet e rregulloret e Kuvendit dhe BQK-së”, tha Demi për KALLXO.com.

Sipas Trustit, aktualisht 9.5 milionë euro apo 0.86% e totalit të mjeteve që i ka nën menaxhim, nuk ka informacion se kujt i takojnë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli ka thënë se Qeveria me këtë ndryshim të Ligjit po dëshiron t’i vërë duart mbi paratë e kursyera të pensioneve

“Projektligji nuk ka për qëllim përmirësimin e pozitës së pensioneve por ka për qëllim përmirësimin e pozitës së Qeverisë së Kosovës përmes rritjes së buxhetit nga paratë e kursyera të pensionistëve. Qeveria dëshiron të vejë dorën mbi paratë e kursyera të pensionistëve”, tha Topalli.

Ndryshimet e propozuara nga Qeveria ishin kundërshtuar edhe nga deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Shqipe Pantina, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

http://kallxo.com/qeveria-kerkon-mjetet-e-paidentifikuara-te-trustit/