Hapet rast ndaj dy qytetarëve për gjuajtjen me armë në Mramor ku ishte i përfshirë edhe një polic

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se prokurori i shtetit ka udhëzuar që të hapet rast penal ndaj qytetarëve të cilët ishin të përfshirë në gjuajtjen me armë që ka ndodhur më 1 maj në Mramor të Prishtinës.

Hapja e rastit penal ndaj qytetarëve është udhëzuar të bëhet nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe Armëmbajtje pa leje, dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa zyrtari policor Sh.E, në këtë fazë të hetimit mbetet në cilësinë e dëshmitarit dhe rasti do të hetohet nga Policia e Kosovës, në koordinim me hetuesit e IPK-së dhe të Prokurorit të Shtetit, ka njoftuar IPK.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se hetuesit e IPK-së me të pranuar njoftimin i janë përgjigjur këtij rasti.

Sipas IPK-së, zyrtari policor Sh.E, derisa kishte qenë në piknik me shoqërinë e tij, ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri me armë me dy qytetarë të armatosur.

“Zyrtari policor gjatë këtij shkëmbimi të zjarrit me armën zyrtare ka plagosur dy persona të cilët dyshohet se kanë sulmuar zyrtarin policor dhe shoqëruesit e tij që gjendeshin me të në piknik”, thuhet në njoftim.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se derisa të përmirësohet gjendja shëndetësore e personave të plagosur, të njëjtit do të monitorohen nga policia.

“Për shkak të hetimeve intesive dhe ruajtjes së integritetit të hetimeve në ketë fazë të hetimit nuk mund të shpalosim informata tjera. Ftojmë secilin qytetar që ka informata lidhur me këtë rast të informojnë Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës ose Prokurorinë e Shtetit”, thuhet tutje në komunikatën e IPK-së.

Siç mëson KALLXO.com, njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime në kokë dhe në këmbë.

Tutje, në njoftimin e Policisë është thënë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 15 gëzhoja, ndërsa në fshatin Mramor është gjetur motoçikleta e të dyshuarve dhe arma e tipit ‘Zoraki’ pa fishekë.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht lidhur me rastin.

Ende gjenden në spital dy të plagosurit në Mramor të Prishtinës