foto: Trafiku Urban

Hapet procedura e prokurimit për blerjen e 30 autobusëve për Kryeqytetin

Ndërmarrja e Trafikut Urban ka njoftuar se është hapur procedura e prokurimit për blerjen e 30 autobusëve të rinj për Kryeqytetin.

Blerja e këtyre autobusëve do të mundësohet përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke ndihmuar Ndërmarrjen për shërbimet e konsulencës për blerjen e 30 autobusëve të rinj.

“Falë angazhimit të kompetentëve të Ndërmarrjes dhe mbështetjes së fuqishme nga Komuna e Prishtinës, ky proces ka arritur një fazë të rëndësishme. Blerja e autobusëve do të realizohet përmes procedurës dhe platformës së BERZH-it (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim).” – njofton Trafiku Urban.

Procedura për aplikim, sipas Ndërmarrjes Trafiku Urban, do të jetë e hapur deri më 02.04.2025 dhe më pas do të zgjidhet Operatori fitues.

Ndërsa, me përfundimin e këtyre procedurave “autobusët e rinj pritet të mbërrijnë shumë shpejt dhe të ofrojnë shërbime të reja dhe më të mira për qytetarët.” – thuhet në njoftim.