Hapet për vizitorë ish-Burgu i Prishtinës, Hoti e Dumoshi e konsiderojnë bazament të shtetit

Për nder të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës, janë hapur për vizitorët dyert e ish- burgut të Prishtinës, i cili pritet edhe të shndërrohet në muze.

Kryeministri Avdullah Hoti, tha se ky burg ka firmosur lirinë e vendit.

“Është ndjenjë e veçantë dhe përjeton plotësisht kur hynë në qeli në tjetrën. Nga ministrja ku familjarët e vet i ka pasur në këto burgje dhe gjithë të tjerët të cilët ndajnë për përjetimet dhe emocionet e tyre. Sinqerisht e falënderoj për këtë iniciativë. Burgun ideve që kanë firmos për lirinë që po e gëzojmë sot”, tha Hoti.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, potencoi se ky burg është bazament i shtetit.

“Po shënojmë 21 vjetorin e lirisë së çlirimit të Kosovës. Po ashtu më këtë rast në këtë burg te gjithë të burgosurit që kanë qenë do të mbesin bazament i shtetit. Propozimi që burgu të shndërrohet në muze e kemi paraparë që të hapim sado pak për vizitorët”, tha ajo.

Kurse ish i burgosuri Selatin Novosella tha se e vlerëson iniciativën për shndërrimin burgut në muze.

“Duhet të vlerësohet vendimi i Qeverisë dhe që kanë gjetur këtë ditë aq domethënëse për vendin. Dita e Lirisë e ndërlidhur me shndërrimin e burgut është dëshmia më e mirë e shtetit jonë”, tha ai.