Hapet për qarkullim 'Rruga e Arbërit'

Sot edhe zyrtarisht është hapur ‘Rruga e Arbrit’, e cila konsiderohet si një ndër akset më të rëndësishme të vendit që lidh kryeqytetin e Shqipërisë me të gjithë zonën verilindore dhe qarkun e Dibrës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar një video nga ceremonia e hapjes së ‘Rruga e Arbërit’, ku ka shkruar se provizorisht kalohet me bajpas në Tunelin e Murrizit.

“Për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje”, ka shkruar Rama në rrjetin social “Facebook”.

Aktualisht punimet për përfundimin e rrugës janë fokusuar në tunelin e Murrizit.

Rruga përbëhet nga 6 tunele, 4 ura, ku ajo e Vashës dhe e Fshatit, ndër më të lartat në rajon dhe pjesa tjetër korsi e asfaltuar me dy sense në një total prej 70 km.

Rruga përfundon në Blladë, në kufi me Maqedoninë e Veriut me një gjatësi rreth 74 km.