Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar "Prishtina 2022". Foto: KALLXO.com

Hapet Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar "Prishtina 2022"

Është hapur Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2022”.

Në këtë panair po prezantohen një numër i madh i kompanive vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.

Përmes këtij eventi të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ndërmarrjet do të kenë mundësinë të promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre, si dhe të njoftohen me mundësitë e zgjerimit, depërtimit dhe rritjes së pjesëmarrjes në tregjet e huaja.

Në hapjen e panairit mori pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hadari.

Ajo tha se së bashku me Qeverinë e Kosovës janë duke punuar në aspektin e fuqizimit të bizneseve dhe të ekonomisë.

“Unë, në rolin e ministres mundohem që Odën Ekonomike ta forcoj”, është shprehur Hajdari.

Tutje ajo ka thënë se Kosova është një vend që ka shumë resurse dhe si shkak i kësaj mund të ofrohet shumë nga ky shtet.

Ministrja Hajdari nuk la anash as sektorin privat, duke thënë se është e vetëdijshme që ky sektor ka nevoja shumë të mëdha.

Në anën tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se duhet të ketë sa më shumë bashkëpunim që në mes Kosovës dhe Shqipërisë të mos ketë barriera dhe që këto dy vende të punojnë si treg i përbashkët.

“Sot Kosova dhe Shqipëria eksportojnë dhe importojnë rreth 420 milionë euro mallra”, tha ai.

Ruzhdi Kurtishaj kryetar i Shoqatës së transportuesve të udhëtarëve ka falënderuar pjesëmarrësit e këtij panairi.

Ai ka thënë se kjo ditë është e veçantë dhe se ky panair i ka munguar për vite Kosovës.

“Është një rast i mirë që bizneset të gjejnë bashkëpunëtorët e tyre në këtë panair”, tha Kurtishaj.

Panairi “Prishtina 2022” është planifikuar që të mbahet nga 5 maji deri më 8 maj.

Ky organizim është duke u mbajtur në Qendrën e Panaireve, në fshatin Shkabaj në Prishtinë.