FOTO: Komuna e Gjilanit

Hapet Muzeu Etnologjik në Gjilan (FOTO)

Sot është inauguruar Muzeu Etnologjik në Gjilan, në objektin e ish-shkollës së muzikës.

Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të programit të IPA II, të bashkëpunimit ndërkufitar mes Gjilanit dhe Kumanovës.

Sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Muzeu Etnologjik është hapur në njërin nga objektet më të vjetra në Gjilan.

“Jam shumë i lumtur që sot e inauguruam Muzeun Etnologjik në Gjilan, i cili është vendosur në njërin nga objektet më të mira, më të vjetra dhe më të konzervuara. Muzeu, i cili është projekt i bashkëpunimit ndërkufitar me Kumanovën, do të hapet për qytetarët dhe turistët, duke ofruar vlerat etnologjike, ndërkaq Muzeu i Qytetit do t’i ruaj vlerat arkeologjike deri në historinë më të re të Gjilanit”, tha Haziri.

Në ceremoninë e inaugurimit të Muzeut Etnologjik ka qenë edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog edhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Ata së bashku me kryetarin Haziri kanë parë nga afër objektet etnogtrafike, përfshirë veshje, vegla pune, enë dhe orendi, aksesorë, punë artizanale nga tekstili, druri e materiale të tjera, të cilat flasin për jetën ekonomike, shoqërore e shpirtërore të Gjilanit me rrethinë.

Misioni i Muzeut Etnologjik të Gjilanit është që të ruaj dhe promovojë objektet etnologjike, rrëfimet, ngjarjet dhe mënyrën e jetesës së qytetarëve të rajonit të Gjilanit.