Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

Hapet konkursi për pranimin e studentëve të UP-së në konvikte

Qendra e Studentëve (QS) e Universitetit të Prishtinës, më 13.09.2024, ka hapur konkursin për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë për vitin akademik 2024/2025.

Sipas njoftimit, konkursi do të jetë i hapur deri më 19.09.2024.

“Për konvikte dhe mensën e QS-së kanë të drejtë aplikimi të gjithë studentët e rregullt në studime themelore, vendbanimi i të cilëve është 25 km e më larg nga Prishtina”- thuhet në njoftim.

Studentët e rregullt të UP-së, siç njofton QS-ja, kanë mundësi të aplikojnë veçmas për të fituar të drejtën për t’u ushqyer në mensën e studentëve.

Në konvikte do të pranohen studentët me numrin më të madh të pikëve të fituara, të cilat janë të përcaktuara nga Qendra e Studentëve.

“Publikimi i rezultateve bëhet me datë 26.09.2024 në tabelat e konvikteve dhe faqet zyrtare të QSP”- thuhet në njoftim.

Afati për ushtrimin e ankesave online është 27.09.2024 – 28.09.2024, kurse publikimi i rezultateve do të bëhet më 02.10.2024.

Bazuar në këtë njoftim, kjo qendër këtë vit do të pranoj 4000 studentë, ndërsa numri i studentëve që do të përfitojnë për ushqim në mensë parashihet të jetë 1500.

Aplikimi bëhet përmes sistemit ONLINE. Linku për aplikim është i publikuar në ueb faqen zyrtare https://qs.uni-pr.edu/Aplikimi