Foto: Kallxo.com

Hapet konkursi për ndarjen e çmimeve në fushën e teatrit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin për çmimet në fushën e teatrit.

Sipas njoftimit të MKRS-së, “Çmimi kombëtar për Vepër Jetësore” u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së teatrit për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e teatrit. Ky çmim mund të jepet edhe pas vdekjes së autorit.

Ndërsa, çmimet vjetore për teatër që ndahen për vitin 2020 siç janë: “Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë për shfaqjen e cila ka treguar sukses të jashtëzakonshëm për nga vlerat, profesionalizmi, shikueshmëria dhe suksesi në prezantimin kombëtar gjatë vitit paraprak.

“Çmimi vjetor për regjinë më të mirë” për regjisorin për regjinë kreative, inovative dhe origjinale në vitin paraprak.

“Çmimi vjetor për aktorin/aktoren më të mirë” që ka pas performancë të shkëlqyeshme gjatë vitit paraprak, në një rol ose disa role teatrore.

“Çmimi vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar” i ndahet produksioneve teatrore (teatrove) ose regjisorit, aktorit, dramaturgut, skenografit apo krijuesit për performancën dhe suksesin në prezantimin ndërkombëtar në vitin paraprak.

Çmimet kanë kundërvlerë monetare. Fituesit të çmimit për Vepër Jetësore i ndahen 5 mijë euro, kurse fituesve tjerë nga 2 mijë e 500 euro.