Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hapet konkursi për drejtor të QKUK-së gati 1 vit pas krijimit të kësaj pozite
Është hapur konkursi për drejtor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) gati një vit pas krijimit të kësaj pozite përmes Statutit të ri të SHSKUK-së, të miratuar më 27.12.2023.
Timoni i QKUK-së është në duart e ushtruesit të detyrës së drejtorit Osman Hajdari prej emërimit të tij më 21.01.2024 nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK), Elvir Azizi.
Konkursi u hap më 04.12.2024 dhe kandidati fitues do të ketë mandat 4-vjeçar.
Shkollimi që kërkohet për këtë pozitë është diploma universitare në fushat e shkencave mjekësore, ekonomi, juridik apo administratë publike me minimum 240 kredi.
Për të plotësuar kriteret, kandidatët po ashtu duhet të kenë së paku 6 vjet përvojë pune, prej tyre 3 vite në pozita udhëheqëse.
Kritere të tjera janë njohja e mirë e sistemit shëndetësor, njohuri të legjislacionit, aftësi të mira komunikuese, të jetë person me integritet të lartë, aftësi për punë ekipore si dhe njohje të gjuhëve të huaja si përparësi.
KALLXO.com ka raportuar më 18.08.2024 për moshapjen e këtij konkursi edhe pse nga krerët e institucioneve të shëndetësisë, krijimi i kësaj pozite ishte cilësuar si shumë i rëndësishëm, që menaxhimi i institucionit të jetë më i mirë.
Zyra e drejtorit të SHSKUK-së nuk pati dhënë një arsye konkrete se pse nuk kishte hapur konkursin, mirëpo pati thënë se janë brenda afatit ligjor.
Ky institucion kishte përmendur nenin 35 të Ligjit për Zyrtarët Publikë i cili thotë se “Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”.