Hapet konkurs për pranimin e studentëve në konvikte

Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka hapur konkurs për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë për vitin akademik 2021/2022.

Në njoftim thuhet se konkursi do të jetë i hapur prej datës 13 shtator deri më 19 shtator 2021.

“Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit Online, në adresat zyrtare të QS, web faqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar Facebook Qendra e Studenteve-Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Studentëve.

Qendra e Studentëve po ashtu ka bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19, dhe QS thotë se këtë vit pritet të pranohen rreth 4 mijë studentë.

“Të gjithë studentët e pranuar, gjatë vendosjes në konvikte duhet të dëshmojnë përmes kartelës së vaksinimit se janë të vaksinuar ndërsa studentët e pa vaksinuar duhet të kenë testin PCR për COVID-19 jo më të vjetër se 72 orë dhe do të i’u kërkohet periodikisht ky test”, bëhet e ditur tutje.

Studentët do të paguajnë 35 euro në muaj, 20 euro për banim ndërsa 15 euro për ushqim.