Foto: Qëndron Kastrati/Facebook

Hapet 'Klasa për nëna' në QKMF-në e Kamenicës

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se sot është hapur “Klasa për Nëna” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë.

Kjo klasë do të shërbejë si qendër informuese e këshilluese për gratë shtatëzëna dhe partnerët e tyre, që nga periudha e paralindjes e deri tek paslindja, e kujdesi gjatë zhvillimit të foshnjes.

Kjo klasë është hapur në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës dhe Aksionin për Nëna dhe Fëmijë, dhe qëllimi i saj është të transmetojë këshilla dhe të përgatisë gratë për shtatëzani të shëndetshme.

“Të gjitha gratë shtatëzëna që kanë nevojë për vitaminën “Prenatal”, tani do të mund ta marrin falas në QKMF”, ka shkruar Kastrati në Facebook.