Hapet "Java e Ndihmës Juridike Falas" në Kosovë
Në Prishtinë sot është hapur “Java e Ndihmës Jurudike Falas” në Kosovë.
Hapjen e kësaj jave e bëri Anita Alaj Kalanderi, drejtoreshë ekzekutive në Agjencinë për ndihmë juridike e cila tha se gjatë kësaj jave do të përqendrohen në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet juridike falas.
“Përmes aktiviteteve të bashkërenduara me donatorë dhe partnerë institucionalë, përgjatë kësaj jave do të përqendrohemi në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet e ndihmës juridike falas, si dhe fuqizimin e qytetarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre. Andaj këtë vit, java do të organizohet nën moton “Mbroje të drejtën tënde”, tha Alaj Kalanderi.
Sipas Alajt, shumica e këtyre aktiviteteve do bëhen online si dhe do përpiqen të arrijnë grupet e cënueshme: gratë, komunitetet etnike, personat LGBTI, viktima e dhunës në familje.
Në hapjen e kësaj jave mori pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se përmes kësaj agjencie kanë fituar shumë familje dhe se kjo lloj ndihme është e drejtë themelore edhe në kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për agjencinë por edhe për gjithë ata 41 mijë persona që kanë përfituar nga kjo ndihmë juridike falas pa dallim. Kjo është e drejtë themelore e njeriut të cilat janë të parapara në kushtetutën tonë. Ky është parim bazë i demokracisë për të cilën është luftuar ne forma të ndryshme”, tha Osmani.
“Kam insistuar që të jepet përkrahje kësaj agjencie për shkak të rolit që ka”, shtoi ajo.
Aktivitete të kësaj agjenice do zhvillohen gjatë tërë javës, shumica përmes platformave online.