Hapet "Java e Krenarisë" në Kosovë, Vjosa Osmani: Dashuria nuk duhet të sfidohet nga askush

Me një ceremoni të organizuar nga Zyra e Kryeministrit sot është hapur “Java e Krenarisë 2021”.

Në hapjen e kësaj jave morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Riccardo Serri, zëvendësshef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Carin Lobbezoo, ambasadore e Holandës në Kosovë dhe Blert Morina, drejtor ekzekutiv i organizatës CEL.

Presidentja Vjosa Osmani Sadriu tha se muaji i krenarisë është një rikujtim për të festuar çdo anëtar të shoqërisë tonë, mendimet tona dhe përkatësitë tona.

“’Muaji i krenarisë’ është një mundësi për të vlerësuar dhe për të çmuar diversitetin në shoqërinë tonë. Të përqafosh diversitietin në një shoqëri është një vlerë e shtuar sepse ai sjell edhe në të menduar dhe në rritjen e kreativitet por edhe një kirjimi e një shoqërie të barabartë”, tha Osmani.

Sipas saj, dashuria është dashuri dhe nuk duhet ta kundërshtojë askush.

“Një gjë është e qartë: Dashuria është dashuri dhe këtë nuk do të duhej ta mohonte apo ta kundërshtonte e sfidonte askush. Dashuria është e pastër dhe nuk bëhet në baza selektive, prandaj sit ë tillë do të duhej ta respektojmë. Ne jemi popull i lirë dhe paqedashës, të drejtat dhe liritë individuale janë në qendër të vetë ekzistencës tonë dhe mbrojtja e këtyre është në qendër të Kushtetutës”, ka shtuar Osmani.

Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, tha se Qeveria është duke punuar në trajtimin e barabartë për të gjithë në aspektin e orientimit seksual.

“Qeveria e Kosovës ka prioritet strategjik të punoj drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse, me diversitet dhe me mundësi të barabarta e pa diskriminim për të gjithë qytetarët e saj pa dallim”, tha Hajredini.

Ai shtoi se Qeveria është skajshmërisht e angazhuar që të drejtat e njeriut t’i vendosë në qendër të vlerave të përfaqësuara nga Republika e Kosovës, duke u bazuar në parimet e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mos-diskriminimit në bazë të orientimit seksual.

Me moton “Bashkë dhe krenarë”, ky aktivitet u organizua nga Zyra e Kryeministrit/Zyra për Qeverisje të Mirë në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile Center for Equality and Liberty – CEL dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD.

‘Java e Krenarisë’ do të përfshijë disa aktivitete të organizuar nga Prishtina Pride, kurse më 1 korrik do të mbahet Parada e Krenarisë nga komuniteti LGBTI+.

Kjo paradë do të fillojë në ora 11:30 nga sheshi “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë duke u përmbyllur me një festë, njoftojnë organizatorët.

Më 28 qershor fillon ‘Java e Krenarisë 2021’

.