Hapet ekspozita për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë

Gjatë ditës së sotme është hapur ekspozita për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Fotografitë e ekspozuara që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë, janë realizuar nga fotografi Alban Bujari i cili tha se këto foto tregojnë për masakrat e Serbisë ndaj popullatës shqiptare civile në Kosovë.

Të pranishëm në këtë hapje ishin Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagabvi, si dhe familjarët e personave të pagjetur dhe personave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, Bajram Çerkini dhe Nafi Krasniqi.

Me rastin e hapjes së ekspozitës, ministri Selimi tha se kjo ngjarje,  risjellë dëshmitë më të trishtueshme të mizorisë së shtetit serb ndaj civilëve shqiptarë.

“Edhe pse trazon plagën tonë ende të hapur, kjo ekspozitë na shërben për të dokumentuar krimet e vazhdueshme dhe terrorizmin shtetëror serb, por edhe e vë në pah, sakrificën dhe të vërtetën e Kosovës”, tha ministri Selimi.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë dhe akoma sot për fat të keq janë më shumë se 1600 familje që kërkojnë të dinë për fatin e të dashurve të tyre.

“Dëshmitarë jemi të gjithë dhe fatmirësisht kemi çka të themi në anën e drejtë të historisë. Andaj uroj që jo vetëm të kemi sa ma shumë aktivitete të tilla, mundësi për të thënë të drejtën tonë, por edhe që në mënyrë institucionale ta qojmë në vend secilën brengë dhe secilën të drejtë që na takon si shtet”, tha nënkryetarja Nagavci.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për 6 muaj në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, e më pas do të bartet në ndonjërin nga institucionet e Republikës së Kosovës.