Foto: Sibel Halimi
Hapet ekspozita "Bërthamë" në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, në Komunën e Prishtinës
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, më 03.12.2024, Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me organizatën “Zë” – Qendrën Logopedike për Trajtim dhe Hulumtim, kanë hapur ekspozitën “Bërthamë”.
Pjesë e ekspozitës “Bërthamë” janë 27 (njëzet e shtatë) punime të fëmijëve më aftësi të kufizuara, në të cilat janë trajtuar 5 (pesë) tema të ndryshme – përmes së cilave vizitorët do mund të njohin stilin e artistëve dhe të veprave unike, të cilat kanë krijuar këta fëmijë.
“Pjesë e ekspozitës janë gjithsej 27 punime të punuara nga fëmijë e adoleshentë me aftësi të kufizuar, përfitues nga shërbimet e terapisë së artit. Këto 27 punime janë të ndara në 5 tema të ndryshme, në të cilat vizitorët mund të njohin artistët, përmes stilit dhe veprave unike të krijuara.” – thuhet në njoftimin e organizatës “Zë”.
Ndërsa, drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se një bashkëpunim i tillë, përfaqëson mundësinë, për t’i dhënë zë e hapësirë fëmijëve me aftësi të kufizuara, përmes artit.
“Në bashkëpunim me Lekë Gjurgjiali, nga organizata “Zë”, hapëm ekspozitën “Bërthamë” në Komunën e Prishtinës, e cila përfaqëson një mundësi të veçantë për t’i dhënë zë e hapësirë fëmijëve me aftësi të kufizuara, përmes artit.” – shkruan Halimi.
Ndër të tjera, drejtoresha Halimi u shpreh se, me hapjen e kësaj ekspozite, po kremtohet fuqia e artit si një mjet që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të barabartë.
“Sot, bashkë me fëmijët, kremtuam fuqinë transformative të artit, si një mjet që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të barabartë.” – ka shkruar drejtoresha Halimi.
Ekspozita është hapur, sot më 03.12.2024, nga ora 10:00, në hollin e objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës dhe do të jetë e hapur, për vizitorë, deri më datën 06.12.2024.
Për herë të parë, ekspozita “Bërthamë” ishte hapur në vitin 2022 – duke shënuar Vitin e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kosovë.
Ekspozita “Bërthamë” u hap për herë të parë në vitin 2022, për të shënuar Vitin e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kosovë.” – thuhet në njoftim e organizatës “Zë”.