Ceremonia e hapjes së ‘PriFest 2022’. Foto: KALLXO.com.

Hapet edicioni i 14-të i festivalit të filmit ‘PriFest’

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Prishtina International Film Festival” (PriFest) ka hapur sonte edicionin e 14-të të tij në Kino Armata në Prishtinë. 

Hapjes së këtij edicioni i parapriu një performancë artistike dedikuar themelueses dhe drejtoreshës së këtij festivali, Vjosa Berisha, e cila vdiq në qershor të këtij viti.  

Ndërsa më pas, fjalë rasti mbajtën mbështetësit dhe partnerët kryesorë të këtij festivali. 

Anita Kovaçiq nga “Raiffeisen Bank” në Kosovë tha se ndihet e nderuar me pjesëmarrjen në hapje të këtij edicioni si përfaqësuese e një prej sponsorëve tradicional të festivalit. 

“’Raiffeisen Bank’ do të vazhdojë të mbështesë këtë festival, si nga mbështetësit kryesor për 14 vjet me radhë”- tha Kovaçiq.  

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe kryetarët  e Tiranës, Erion Veliaj, dhe ai i Prishtinës, Përparim Rama.

Ata vlerësuan kontributin e ish-drejtoreshës Vjosa Berisha për organizimin dhe mbajtjen gjatë të “PriFest”-it. 

“I kisha premtuar Vjosës se këtë vit do të jem në ‘PriFest’, se do të përfshiheshim në këtë edicion, sepse besoj se ajo që është histori suksesi në Prishtinë është edhe për ne në Tiranë dhe anasjelltas” – tha ndër të tjera Erion Veliaj 

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky edicion i “PriFest”-it është krejt i veçantë. 

“Përgjatë viteve ‘PriFest’-i ka sjellë filmat më cilësorë nga vende të ndryshme. Sivjet ‘PriFest’-it ka edhe një hapësirë për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit nga Odesa, me moton, ‘Përtej kufijve: Odesa në PriFest’, që për shkak të luftës në Ukrainë po mban një edicion këtu në Prishtinë” – tha Rama. 

Kurse, Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha gjatë fjalës së tij se “PriFest” është tregimi i suksesit për aktivisten e palodhur, Vjosa Berisha.  

“Kjo është mënyra më e mirë për ta kujtuar Vjosën për atë që ka bërë për gjithë kulturën tonë” – tha ai. 

Pas fjalimeve është shfaqur filmi “Vera andrron detin”.

Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe një program special i festivalit të filmit të Odesës (Odesa International Film Festival). Në hapje të “PriFest” ishte edhe një grup kinastësh ukrainas dhe drejtoresha e “Odesa International Film Festival”, Anna Machukh. 

Me moton “For Her”, ky edicioni i kushtohet themelueses dhe drejtoreshës së këtij festivali, Vjosa Berishësh. 

Kurse, çmimi kryesor i festivalit  “Hyjnesha e kuqe për filmin më të mirë Ballkanik”,  nga ky vit do të mbajë emrin – Vjosa Berisha. 

Dhjetëra filma shqiptarë dhe të huaj do të shfaqen në disa kategori garuese të këtij festivali.   

Edicioni i 14-të i këtij festivali mbyllet më 25 shtator me shpalljen e çmimeve të festivalit. 

Ceremonia e hapjes së ‘PriFest 2022’. Foto: KALLXO.com.