Hapet aplikimi për çmimin e medias për gazetarët nga Kosova dhe Serbia

Sot u hap edicioni i çmimit vjetor për media të Kosovës dhe Serbisë, me temën “Kuptimi i narrativave përçarëse – Analizë e mediave në Serbi dhe Kosovë”, që ka për qëllim hulumtimin dhe përgatitjen e storieve lidhur me bashkëjetesën paqësore të këtyre dy kombeve si dhe “demantimin e narrativave përçarëse mes tyre”.

Iniciativa është filluar nga Nisma për Ndryshim Paqësor PCI dhe sipas tyre objektivë e kësaj nisme është zbehja e trendit aktual gazetaresk ‘Bardh e zi’ mes mediave Kosovë dhe Serbi, për të vënë në përdorim hulumtimet e mirëfillta profesionale dhe jo tendencioze të dy kombeve.

Në lidhje direkte mes gazetarëve të Kosovës dhe Serbisë u bë hapja e temës për pjesëmarrje të mediave dhe gazetarëve lidhur me hulumtime për bashkëjetesën etnike.

Tamara Skroza gazetare nga Serbia tha që gazetarët duhet të kenë trimëri intelektuale.

“Këtu kërkohet trimëria më shumë së në temat e tjera gazetarët serb nuk janë marrë shumë me temat që kërkojnë trimëri”- theksoi Skroza.

Kurse, Violeta Oroshi përfaqësuese e jurisë foli për raportet mes kolegëve serbë dhe shqiptarë.

“Shembuj të bashkëjetesës etnike ka tepër shumë, ja shembullin e javës e kaluar kur kthehet një gazetare e ‘Radio Kim’ nga Serbia i prishet makina dhe disa fëmijë shqiptarë mundohen me i ndihmu jo vetëm që i ndihmojnë por edhe i japin pajisje dhe nuk i marrin para… pra duhet të kemi vullnet nga mediat dhe gazetarët. Këta tituj këta shkrime mund të demantojnë edhe disa politika mes politikanëve e njërës anë edhe tjetres sepse misioni i gazetarëve është ky që të shkruajnë për diçka që të tjerët nuk duan nëse jo kjo i bie që jemi në qark të mbyllur”- shpjegoi ajo.

Tatjana Manojloviq, fituesja e çmimit të vitit të kaluar, ish-gazetare dhe tani deputete në Serbi, përmes platfomës Zoom, tha që mediat në Serbi auto-censurohen nga vetë gazetarët për shkak të frikës dhe kjo siç shpehet ajo është e kundërta e bashkëjetesës ndëretnike.

“Puna mediale në Serbi është ashtu siç është për shkak të autocenzurës edhe frikë së mediave”- u shpreh Manojloviq.

Mjellma Doli nga Nisma për Ndryshim Paqësor në Kosovë tregoi që projekti ka për qëllim mbështetjen e komuniteteve dhe në veçanti fuqizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“PCI si fokus e ka fuqizimi e komuniteteve pas konflikteve. Puna e saj është e përqendruar në Libi, Kaukazin Jugor dhe Ballkanin Perëndimor. Për Ballkanin Perëndimor i cili quhet “Fuqizimi i zërit lokal dhe zhvillim”, projekti është i përqendruar në Serbi dhe Kosovë, dhe ka për qëllim mbështetjen e komuniteteve dhe shoqërisë veçanërisht në aspektin lokal, për të fuqizuar pjesëmarrjen dhe zërin e tyre në komunitete dhe komuna ku ata jetojnë.”- theksoi ajo.

Përveç kësaj tregoi që janë mbajtur takime konstruktive në mes mediave dhe gazetarëve të dy vendeve ku është diskutuar për çështje të ndryshme duke ndërmarrë veprime në përmisimin e atmosferës mediale.

Aplikimi është i hapur deri me 31 dhjetor, çmimi i parë për storiet dhe shkrimet që do të prezantohen nga gazetaret është me shpërblim prej 2,000 euro.

Çmimet të cilat janë ndarë vitin e kaluar nga juria e dy shteteve për gazetarët janë: Çmimi i parë në kategorinë audio-vizuale e fitoi Ardian Thaçi me storien “Heshtja që vrau”, dhe për kategorinë e shkruar çmimi iu nda Fitim Gashit për storien “Të pastrehët e pandemisë”.

Detajet rreth aplikimeve mund t’i gjeni në këtë LINK.