Hapet afati për deklarimin e pasurisë të zyrtarëve publik

Nga data 1 deri më 31 mars 2022, zyrtarët publik në Kosovë do të jenë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Sipas një njoftimi të AKK-së, procesit të deklarimit të pasurisë këtë vit do t’i nënshtrohen 4 mijë e 737 zyrtarë publik.

Sot AKK-ja ka njoftuar të gjithë institucionet publike se janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e pasurisë dhe mos-deklarimi i rregullt, konform obligimeve ligjore, detyron Agjencinë Kundër Korrupsionit që të paraqes kallëzim penal.

“Në lidhje me deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, Agjencia kundër korrupsionit ka dërguar të gjitha informatat në institucionet publike dhe ka kërkuar që formularin e deklarimit të pasurisë ta plotësojnë me të dhënat e kërkuara në pajtim me udhëzuesin e pranuar nga AKK. Agjencia kundër Korrupsionit pranon vetëm formularët e kompletuar”, thuhet në njoftim.

Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë mund të bëhet nëpërmjet paraqitjes fizike në zyrën e AKK-së ose nëpërmjet email-adresës [email protected]. Formularët e deklarimit të pasurisë të dërguar nëpërmjet emailit, duhet të jenë të nënshkruar dhe skanuar nga ana e subjekteve deklarues.