Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hapet afati i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet në Zveçan dhe Leposaviq

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 6 dhjetor ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Sipas KQZ-së, afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më 9 dhjetor 2022.

“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”- thuhet në njoftim.

Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në ueb-faqen e KQZ-së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj, pas regjistrimit, të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 17 dhjetor dhe përfundon më 23 dhjetor 2022”- thuhet më tej në njoftim.

Zgjedhjet për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit do të mbahen më 25 dhjetor.

Ndërsa, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok do të mbahen më 18 dhjetor.