Një qytetar duke votuar - Foto: Atdhe Mulla

Hapen qendrat e votimit në Kosovë, nis votimi

Qytetarët e Republikës së Kosovës sot do t’u drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vjetët e ardhshme.

Në gjithë territorin e Kosovës janë 888 qendra të votimit.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka thënë për KALLXO.com se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë.

“Mund t’jua konfirmoj se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë. Të shtunën do të shpërndahen në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve, ndërsa të dielën në mëngjes për në 888 qendra të votimit të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime”, tha Elezi.

Elezi ka thënë  se bazuar në listën përfundimtare të votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë.

“Rrjedhimisht i bie se janë shtypur 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se numri i votuesve apo në përqindje 9,89 % më pak”, kishte thënë Elezi.

Këto janë zgjedhjet e teta për Kuvend në Kosovën e pasluftës.