Pika e Kalimit Kufitar në Jarinjë. Foto: Adelinë Ahmeti/KALLXO.com

Hapen pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak - VIDEO

Pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë hapur për qarkullim.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës teksa ka thënë se pas largimit të barrikadave është vlerësuar hapja e dy pikave kufitare.

Jarinja dhe Bërnjaku kanë qenë të mbyllura nga data 10 dhjetor si pasojë e bllokimit të rrugëve nga makineritë e rënda që janë vendosur nga qytetarët serbë në veri.

Sipas Policisë, bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone.

“Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje thuhet se zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.

Edhe pika kufitare në Merdarë është liruar për qarkullim dje pas bllokimit disaditor si shkak i vendosjes së barrikadave në Serbi rreth 2 kilometra nga ky pikëkalim.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se është hapur qarkullimi kufiri në Jarinjë dhe Bërnjak dhe sipas të dhënave të fundit, pritja për të hyrë dhe për të dalë përmes këtyre pikave, është 3 deri në 5 minuta.

Edhe në pikat e tjera kufitare, pritjet janë 3 deri në 5 minuta, ndërsa kolona nuk ka.

Foto: MPB

Dje, në ditën e 20-të të vendosjes së tyre, kamionët që shërbenin për bllokimin e rrugëve, janë ndezur dhe ka filluar largimi i barrikadave të vendosura nga serbët në veri të Kosovës.

Largimi i barrikadave nga serbët po vazhdon edhe sot në vendet ku ishin të vendosura automjetet e rënda të cilat bllokuan qarkullimin në rrugët e pjesës veriore.