Situata në Bërnjak, 06.09.2024, Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Hapen për qarkullim pikat kufitare në Merdarë dhe Bërnjak
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se pas largimit të bllokadave nga që u vendosën të premten, më 06.09.2024, në territorin e Serbisë afër pikave kufitare, është marrë vendim për hapjen për qarkullim të pikave kufitare në Merdarë dhe Bërnjak.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”- ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook më 07.09.2024.
Të dhënat në lidhje me hapjen e këtyre dy pikave kufitare janë përditësuar edhe nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar. Këto të dhëna tregojnë se pritjet për të hyrë dhe për të dalë nga Kosova janë nga 3 deri 5 minuta.
Rreth 30 persona në Jarinjë e Bërnjak, diku rreth 50 persona në Kullë e Merdarë, dolën dhe iu bashkuan kërkesës për të protestuar dhe bllokuar rrugët matanë kufijve që ndajnë Kosovën me Serbinë, më 06.09.2024.
Kjo protestë u thirr para disa ditësh përmes rrjetit social “Telegram”. Aty u bë thirrje për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.
Kërkesë e tyre është që institucionet që janë mbyllur në Kosovë, ku kanë funksionuar struktura paralele serbe t’u rikthehen qytetarëve serbë.
Në thirrjen në “Telegram” kërkohej nga ata që i bashkëngjiten protestës të marrin tenda me vete, ushqim e rroba.
Ndërrimi thuhej se do të bëhet çdo 12 orë i atyre që do të mbajnë të bllokuar pikën, dhe përveç veturave të emergjencave nuk do të lejohet qarkullim i veturave të tjera që nuk janë me tabela të Beogradit.
Ndaj kësaj situate, ka reaguar ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
Të premten, më 06.09.2024, ninistri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se këto dy pikëkalime janë mbyllur për pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i “ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që duan të kalojnë transit përmes Serbisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u pati bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.
Më 30.08.2024, Qeveria mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre dhe kanë kërkuar kthimin në vendet e punës.