Hani i Elezit, Komuna e dytë për nga performanca sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal

Komuna e Hanit të Elezit renditet e dyta në raportin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal sa i përket performancës së mirë komunale.

Performanca e Hanit të Elezit në ofrimin e shërbimeve komunale sipas përqindjes radhitet e dyta me 75.78 për qind pas Komunës së Drenasit.

Në fushën e shërbimeve adiministratvie sipas raportit të MAPL-së, të dhënat tregojnë se komunat në masë të madhe i kanë shqyrtuar kërkesat administrative të cilat u janë parashtruar.

“Janë rreth 2,254,947 milion kërkesa administrative që komunat i kanë pranuar gjatë vitit 2019, nga të cilat janë shqyrtuar 2,158,438 kërkesa. Mesatarja e trajtimit të kërkesave për komunë është 42612.5 kërkesa. Këtu përfshihen kërkesat për leje të ndryshme komunale, dokumentet e gjendjes civile, kërkesat për qasje në informata, kërkesat qytetare për financim dhe adresim në organet përgjegjëse të komunës”, thuhet në raportin e MAPL-së.

Sa i takon ofrimit të shërbimeve adiministrative, Komuna e Hanit të Elezit radhitet e 18-ta me një përqindje prej 73.33.

Në lidhje me transparencën komunale, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se përqindja më e lartë sa i takon transparencës është në lejimin e qasjes së qytetarëve në dokumentet zyrtare shprehur me 87.31 për qind.

Hani i Elezit radhitet e 12-ta sipas MAPL-së për transparencë komunale me një përqindje prej 92.00.

Përgjegjshmëria komunale sipas MAPL-së është inkuadruar si fushë e re dhe në të përfshihet edhe puna e zyrtarëve dhe ndërmarrjet e veprimeve ligjore karshi veprimeve të tyre që kanë qenë ndesh me ligjin.

“Në kuadër të kësaj fushe, vërejmë performancë të lartë të komunave në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për suspendimin e zyrtarëve për të cilët ka pasur aktakuzë në lidhje me veprat për shpërdorim detyrës zyrtare. Sipas të dhënave aktakuza për vepra të tilla penale ka pasur për 28 zyrtarë në 9 komuna, prej të cilëve 13 janë raportuar të jenë suspenduar. Në përqindjen prej 93.06% në nivel të këtij treguesi ka ndikuar numri i madh i komunave në të cilat nuk kanë pasur raste me aktakuza për zyrtarët publik, që sipas SMPK-së konsiderohet performancë pozitive”, thuhet në raportin e MAPL-së.

Në të dhënat e ministrisë thuhet se, pjesa më e madhe komunave nuk e kanë të hartuar dhe si rrjedhojë nuk e kanë parashtruar në kuvend komunal planin vjetor të integritetit.

Sa i takon fushës së përgjegjshmërisë komunale, Hani i Elezit, një komunë me rreth 10 mijë banorë radhitet e treta me 85.65 për qind.

“Performancën më të lartë në indikatorët e kësaj fushe e ka arritur komuna e Lipjanit dhe Kaçanikut. Po ashtu në nivel të lartë qëndrojnë edhe Komuna e Gllogocit, Hanit të Elezit dhe Rahovecit”, thuhet në raportin e MAPL-së.

Një tjetër fushë në raportin e MAPL-së është edhe barazia në punësim, shërbime sociale dhe familjare.

Kjo fushë sipas ministrisë mbulon përfaqësimin e grupeve të ndryshme në punësim komunal, si dhe shërbimet sociale të grupeve me nevojë në komuna.

“Sipas të dhënave niveli i përmbushjes së kuotës për të punësuar me nevoja të veçanta është mjaft i ulët”, thuhet në raportin e MAPL-së.

Hani i Elezit radhitet e 18-ta me 60.53 për qind, sa i takon performancës në këtë fushë pra të punësimeve, shërbimeve sociale dhe familjare.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka bërë matjen edhe në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Komuna e Hanit të Elezit radhitet e 7-ta me 92.8 për qind për shërbimet e ofruara që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin, përfshirë hapësirat sportive.

MAPL ka matur edhe performancën në lidhje me menaxhimin e fatkeqësive, e cila mat planifikimin, organizimin dhe udhëheqjen e sistemit të organizuar të komunës për tu përgjigjur ndaj dukurive të shkaktuara nga fuqitë e pakontrolluara dhe nga fuqitë tjera.

Fusha ka vetëm një rezultat dhe dy tregues, që kryesisht vlerësojnë realizimin e planit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, si dhe nivelin e përgjigjeve të institucioneve komunale ndaj rasteve të paraqitura në këtë fushë. Performanca e përgjithshme e komunave të vlerësuara në këtë fushë është 77.19%.

“Në 33 komuna që kanë raportuar për këtë tregues, nga 12 850 fatkeqësi të raportuara ekipet përgjegjëse komunale kanë intervenuar në 12 556 prej tyre. Gjithashtu 68.48% e komunave rezultojnë të kenë pasur plan komunal për menaxhim të fatkeqësive si dhe raport për realizimin e planit”, ka raportuar MAPL.

Në këtë fushë, Hani i Elezit radhitet e 9-ta me 100 për qind sa i takon reagimit në menaxhimin e fatkeqësive.

Hani i Elezit qëndron në vendin e 12-të me 50.7 për qind në fushën e planifikimit hapësinor, por edhe nivelin e planifikimit të ndërtimeve komunale.

Hapësirat publike është një fushë tjetër e cila është vlerësuar nga ana e MAPL-së te komunat e Kosovës.

Kjo fushë matë hapësirat publike të cilat janë me interes për qytetarët, menaxhohen nga komunat dhe të cilat ndikojnë në cilësinë dhe standardin e jetesës së qytetarëve.

Komuna e Hanit të Elezit, qëndron në vendin e 13-të sa i përkët indikatorëve në këtë fushë pra të hapësirave publike.

Sipas raportit të MAPL-së, në përgjithësi sipas të dhënave për të gjitha komunat rreth 67.5% të hapësirave publike mirëmbahen rregullisht, ndërsa 75.4% të hapësirave publike janë të përcjella me ndriçim publik.

Sa i përket çështjes së infrastrukturës rrugore, Hani i Elezit radhitet e para në raport me një përqindje prej 86.77, duke treguar kështu që ka një përqindje të lartë të rregullimit të infrastrukturës rrugore në komunë dhe një fshatra përreth.

Transporti publik e ka radhitur komunën e Hanit të Elezit të 15-tën komunë me një përqindje prej 83.5.  Kjo fushë sipas MAPL-së mat ofrimin e transportit publik për qytetarët e komunës.

Një fushë tjetër është edhe hapësirat për parkim publik të cilat janë vende në pronësi publike dhe private, me një numër të caktuar të vendeve të parkimit, të ndërtuara me standardet e kërkuara dhe të caktuara për parkimin e mjeteve motorike.

Hani i Elezit radhitet e dyta pas Junikut për hapësira të parkingjeve me një përqindje prej 88.

“Krahasuar me numrin e automjeteve të regjistruara, komunat me vendparkime mbulojnë vetëm 15.22%. Shkalla e vendparkimeve të destinuara për makinat taksi të regjistruara në komuna është 55.62%. Sa i përket numrit të vendparkimeve për persona me aftësi të kufizuara, vetëm 50.40% e parkingjeve i kanë të shënjuara vendet e tillë”, thuhet në raportin e MAPL-së për të gjitha komunat e Kosovës.

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka bërë matjen edhe për sigurimin apo furnizimin e qytetarëve dhe bizneseve me ujë të pijshëm si dhe realizimin e projekteve komunale për ujë të pijshëm. Kjo fushë në përgjithësi ka një performancë të përgjithshme prej 73.10 për qind.

Hani i Elezit radhitet e 11-ta me një përqindje të lartë prej 95.55 sipas MAPL-së sa i shtrirjes së rrjetit të ujit të pijshëm në komunë.

Komuna e Hanit të Elezit sipas raportit të MAPL-së, tregon se ka të shtrirë rrjetin e kanalizimit në 48.39 për qind të komunës.

Sipas MAPL-së, sasia e madhe e deponimit të mbeturinave në kilogram për kokë banori, potencialisht tregon performancë më të lartë, por jo gjithherë.

“Sa më shumë deponim të mbeturinave, është supozim që tregon për më pak mbeturina në mjediset jetësore, por kjo rëndom nuk ndodhë, për shkak se ende nuk grumbullohen dhe nuk deponohen të gjitha mbeturinat e prodhuara nga ekonomitë përkatëse”, thuhet në raportin e MAPL-së.

Në këtë fushë Hani i Elezit qëndron në e 14-ta nga komunat, për menaxhimin e mbeturinave me 82.19 për qind.

Realizimi i planit të veprimit të mjedis e vendos Komunën e Hanit të Elezit në vendin e 24 për nga përqindja me 73.3 në mbrojtjen e mjedisit.

“Kjo fushë matë veprimet e komunës përkatëse për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror dhe jetësor (urban dhe rural) nga dëmtimi, degradimi apo ndotja si pasojë e veprimtarisë njerëzore ose të ndikimit natyror”, thuhet në raportin e MAPL-së.

Ministria e Administrit dhe Pushtetit Lokal në raportin vjetor të përformancës së komunave ka thënë se “me gjithë progresin e komunave ndër vite në sigurimin e përfaqësimit të barabartë në trupat e kuvendeve dhe në komisionet komunale, të dhënat për treguesit e caktuar minimizojnë përqindjen në këtë fushë duke e bërë atë mjaft të ulët, 38.24%” .

“Sipas të dhënave të raportuara nga 36 komuna, nga totali prej 37,310 e të punësuarve në institucione komunale, 17,660 prej tyre janë gra, apo 80.66% e kriterit ligjor 50×50”, thuhet në raportin e MAPL-së.

Gjithashtu sipas raportit thuhet se 23 komuna dokumentuan të hartuar planin për barazi gjinore, derisa 13 prej tyre nuk e kanë dëshmuar të hartuar këtë plan. Në këto komuna hyn edhe ajo e Hanit të Elezit, komunë kjo që nuk ka të hartuar planin për barazi gjinore.

Hani i Elezit ka një performancë prej 40 për qind sa i takon të arriturave për përfaqësim gjinor në komunë.

Komuna e Hanit të Elezit gjithashtu radhitet e treta në performancë për arsimim parauniversitar. Sipas MAPL-së, fusha e arsimit parauniversitar synon rezultate në hapësira për çerdhe dhe shkolla të pajisura me kabinete për internet, masa të efiçencës së energjisë,  rekrutimin e personelit arsimor, licencimin e mësimdhënësve, mjetet e konkretizimit, pajisjet e shkollave me mjete mësimore, kabinete të TIK-ut, si dhe kushtet e sigurisë në shkollë.

Fusha e cila matë infrastrukturën dhe hapësirat e destinuara për shëndetësinë primare, resurset dhe personelin e mjaftueshëm, si dhe ofrimin e shërbimeve nga niveli komunal e radhit Hanin e Elezit të 14-ën në raportin e MAPL-së pasi që sipas indikatorëve ka një përqindje të lartë  sa i takon shëndetësisë primare e cila është nën menaxhimin e komunës.