Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Han të Elezit, Kimete Kuka-Hasallari (e dyta nga e majta) së bashku me drejtorët e tjerë komunalë dhe kryetarin Mehmet Ballazhi

Han i Elezit, familjarja e drejtoreshës së Shëndetësisë emërohet u.d e drejtoreshës së QKMF-së

Lindita Rexhellari është emëruar ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Menduh Kaloshi” në Han të Elezit.

Mjekja e Përgjithshme Lindita Rexhellari gjithashtu është familjare e drejtoreshës së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Han të Elezit, Kimete Kuka-Hasallari.

Vendimin që Rexhellari të jetë në krye të QKMF-së e ka marrë kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi më 2 shkurt të këtij viti. E njëjta do ta mbajë këtë pozitë deri më 30 qershor.

Rexhellari ka konfirmuar se është e afërme me drejtoreshën e Shëndetësisë, por ka thënë se kjo nuk ka ndikuar në emërimin e saj.

“Unë punoj si mjeke këtu në QKMF prej muajit prill të vitit 2021”, ka thënë Rexhellari.

Ndërsa, drejtoresha Kuka-Hasallari ka thënë se emërimi i familjares së saj nuk ka të bëjë me të.

“Po, është familjare (vajza e tezes, kushërirë). Jo, aspak (nuk kam ndikuar), sepse ka qenë e emëruar nga vetë kryetari”, ka thënë ajo.

Në pozitën e u.d të QKMF-së në Han të Elezit deri më 31 janar ka qenë i emëruar Nejazi Luma, i cili sipas drejtoreshës ka qenë i kontraktuar vetëm si ushtrues detyre i drejtorit.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor 2021, pas tri mandateve, kandidati i pavarur në këtë komunë, Rufki Suma, ka humbur ndaj Mehmet Ballazhit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Foto: Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Han të Elezit, Kimete Kuka-Hasallari dhe kryetari Mehmet Ballazi

Ballazhi ka marrë 2 mijë e 561 vota ose 51,33% duke lënë prapa kryetarin e deritanishëm, Rufki Sumën me 2 mijë e 106 vota ose 42,21%.