Ilustrim

Han i Elezit, arrestohen dy persona për vjedhje të kabllove elektrike, akumulatorëve dhe naftës

Policia e Rajonit të Ferizajt ka arrestuar dy persona për një vjedhje që kishte ndodhur tek vendi i quajtur “Ura e Kashanit” në vendpunishten e Hekurudhave të Kosovës në Han të Elezit.

Informacionin për këtë vjedhje Policia njofton se e kishte marrë sot në orët e para të mëngjesit.

Sipas Policisë, në lidhje me këtë hetuesit kanë arritur të identifikojnë personat e dyshuar dhe vendin e ndodhjes së tyre dhe rreth orës 17:00 kanë arrestuar dy personat me inicialet S.R. i moshës 26-vjeçar dhe N.R. i moshës 21-vjeçar me dyshimin se kanë kryer veprën penale – vjedhje.

Ata dyshohet se në punishten e Hekurudhave të Kosovës kanë vjedhur 150 m kabllo elektrike, 4 akumulatorë (bateri) makinash, 20 pjesë nga 3 m të çelikut dhe rreth 200 litra derivate të naftës.

Policia bën të ditur se të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor në Han të Elezit dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të Prokurorisë së Ferizajt janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.