Foto: Bedri Hamza, Facebook

Hamza takohet me tifozë të klubeve futbollistike të Gjilanit, u premton ndërtimin e stadiumit

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, më 28.10.2024, ka zhvilluar punëtorinë e radhës për programin e tij qeverisës me qytetarët e komunës së Gjilanit.

Hamza ka premtuar se gjatë mandatit të tij si kryeministër do të ndërtohet më prioritet stadiumi i Gjilanit.

Sipas njoftimit, ai ka bërë bashkë dy tifozë të klubeve futbollistike rivale të këtij qyteti, njërin të “Dritës” dhe tjetrin të “Gjilanit”.

“Dy tifozë të klubeve futbollistike “Drita” dhe “Gjilani”, u bën bashkë në punëtorinë time në Gjilan. Edhe dy tifozëritë e kësaj komune, “Intelektualët” dhe “Skifterat”, do t’i bëjmë bashkë në Stadiumin e Gjilanit, i cili me prioritet do të ndërtohet gjatë mandatit tim si kryeministër”- ka thënë Hamza.

Në njoftim thuhet se disa nga kërkesat e qytetarëve ndaj Hamzës ishin rregullimi i rrugës Gjilan – Prishtinë, përmirësimi i kushteve për bizneset, përzgjedhja e mësimdhënësve mbi parimin e meritokracisë, si dhe më shumë vëmendje për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore.

Hamza ka kërkuar besimin e qytetarëve, duke u zotuar se atë që e thotë e realizon.

“Unë nuk pres vetë me qenë në politikë në 20 vitet e ardhshme, mirëpo unë kam obligim të krijoj perspektivën për 20 vitet e ardhshme”- ka theksuar Hamza.

Kanë kaluar 6 vjet prej kur kanë filluar punimet, janë ndërruar dy kryetarë komune e katër ministra të Sportit por Stadiumi i Gjilanit ende nuk ka përfunduar.

KALLXO.com kishte publikuar pamjet të stadiumit të qytetit të cilat shfaqeshin hekura të vendosura në ulëset e stadiumit që paraqesin rrezik për tifozët dhe zyrat e stadiumit që rrezikonin të vërshohen nga uji, sa herë që bie shi.